Analiza e praktikave më të mira lidhur me shërbimet me bazë komunitare për fëmijët me aftësi të kufizuara

Analiza e praktikave më të mira në zbatimin e Projektit ‘Shërbime me bazë komunitare për fëmijët me aftësi të kufizuara” është përgatitur me kërkesën e Save the Children në kuadër të këtij projekti. Projekti “Shërbime me bazë komunitare për fëmijët me aftësi të kufizuara” mbështetet nga Fondacioni The Margaret A. Cargill Philanthropies dhe është zbatuar nga Save the Children për një periudhë 3 vjeçare, në partneritet me organizatën lokale ‘Ndihmoni Jetën’ dhe në bashkëpunim me bashkitë e Durrësit dhe Vlorës.
Ky projekt ka mundësuar ngritjen e dy qendrave për shërbime me bazë komunitare, të cilat ofrojnë shërbime cilësore për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Nëpërmjet identifikimit të praktikave më të mira në zbatimin e këtij projekti synohet inkurajimi i replikimit të praktikave të tilla edhe nga aktorë të tjerë, institucione të qeverisjes vendore, organizata lokale, organizata të tjera të shoqërisë civile, donatorë vendas dhe të huaj. Kjo analizë pritet t’i shërbejë edhe punës së mëtejshmë të Save the Children në mbrojtjen dhe përmirësimin e jetës së fëmijëve me aftësi të kufizuara në Shqipëri.
Të dhënat më të fundit tregojnë se ka një shifër prej 14 578 fëmijë me aftësi të kufizuar që janë të identifikuar përmes shërbimeve dhe Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë. Numri i fëmijëve me aftësi të kufizuar llogaritet edhe më i lartë pasi është evidentuar se ka shumë prej tyre që janë jashtë skemës së ndihmës për arësye të ndryshme.
7,8% e fëmijëve të evidentuar me aftësi të kufizuara marrin shërbime nga qendra sociale.
66% e fëmijëve me aftësi të kufizuar jetojnë në familje me të ardhura të ulëta.
58% e nënave dhe 33% e baballarëve janë të papunë.
55,0% e prindërve raporton se shpenzimet e nevojshme për marrjen e shërbimit për këta fëmijë janë të papërballueshme, ose krejtësisht të papërballueshme për ta.
1 në 3 fëmijë me aftësi të kufizuar përballet me diskriminim në shërbimet publike, si ato shëndetësore ose shoqërore.
Është e vërtetë se gjatë viteve të fundit ka pasur shumë zhvillime pozitive në plotësimin e kuadrit ligjor dhe të politikave për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri. Por kjo nuk mjafton. Ajo çfarë mungon momentalisht është angazhimi i institucioneve të qeverisjes vendore, edhe në kuadrin e reformës administrative dhe decentralizimit të shërbimeve sociale, në veprime konkrete dhe trajtimi i sfidave dhe problematikave të evidentuara duke u mbështetur në modelet pozitive dhe praktikat më të mira.

Analize e praktikave te mira per femijet me aftesi te kufizuara ne Shqiperi