Analiza e situatës të shërbimeve për fëmijët me aftësi të kufizuara në Shqipëri

Kjo analizë vjen si një kërkesë e Save the Children në kuadër të projektit “Shërbime me bazë komunitare për fëmijët me aftësi të kufizuara”, cili financohet nga Fondacioni Margaret A. Cargill dhe që do të zbatohet nga organizata Save the Children, në partneritet me shoqatën “Ndihmoni Jetën”. Ky projekt synon ngritjen e dy qendrave me bazë komunitare, që do të ofrojnë shërbime cilësore për fëmijët me aftësi të kufizuara. Nëpërmjet identifikimit të institucioneve ne nivel lokal, shërbimeve në dispozicion, mangësive dhe sfidave, dhe ofrimit të rekomandimeve, analiza e situatës do ta ndihmojë Save the Children për të përcaktuar dy qarqet e synuar për ndërhyrje në kuadrin e këtij projektit dhe gjithashtu për të rritur kapacitetet e institucioneve publike në nivel lokal për të mbështetur gjithëpërfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në sistemin shkollor dhe në komunitet. Në vitet e fundit, ka pasur shumë zhvillime në kuadrin ligjor dhe të politikave për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri. Ajo çfarë kërkohet tani është kalimi i këtij angazhimi në veprime konkrete dhe trajtimi i sfidave dhe mangësive të nxjerra në pah nga kërkimet dhe analizat e ndryshme. Mungesa e ndërveprimit dhe bashkëpunimit efikas në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, arsimore, rehabilitimit, mbrojtjes dhe mirëqenies për fëmijët me aftësi të kufizuara është e dukshme. Mungesa e një politike të integruar kombëtare ose e dokumenteve udhëzuese në sektorët e shërbimeve, me shumë gjasa kontribuon në pengesat e hasura në shërbimet shëndetësore, arsimore, të rehabilitimit dhe mbrojtjes për fëmijët me aftësi të kufizuara. Kjo do të thotë se formulimi i politikave, strategjive dhe shërbimeve në këto fusha duhet të jetë gjithëpërfshirës, multidisiplinor dhe i bashkërenduar. Për shkak të reformës dhe decentralizimit të shërbimit social, qeveria vendore pritet të luajë një rol të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve sociale për grupet në nevojë. Në këtë aspekt, qeveria vendore duhet ndihmuar dhe mbështetur në procesin e delegimit të këtyre kompetencave të reja. Gjithashtu, është e nevojshme mbledhja e të dhënave të duhura statistikore për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe autoritetet shtetërore duhet të sigurojnë se të dhënat përdoren në zhvillimin e politikave dhe programeve për këta fëmijë; dhe si një udhëzues për akordimin e burimeve dhe mbështetjen e fëmijëve dhe familjeve të tyre.

Gjetjet kryesore
Numri i përllogaritur i fëmijëve me aftësi të kufizuara
Shqipëria ka një numër të përllogaritur prej 18,474 fëmijësh me aftësi të kufizuara. Kjo shifër po rritet ngadalë me kalimin e viteve. 55.3% e fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë lindur me aftësi të kufizuar dhe në 44.7% të rasteve, kjo aftësi e kufizuar është zhvilluar gjatë fëmijërisë. Rrethi me numrin më të lartë të përllogaritur të FAK është Tirana (3,512), i ndjekur nga Elbasani (2,752), Fieri (2147), Durrësi (2000), Shkodra (1708), Dibra (1449), Korça (1432), Lezha (799), dhe Berati (721). Numri i përllogaritur i FAK bazohet vetëm në rastet e pagesës së aftësisë së kufizuar dhe vlerësimin nga KMCAP. Pjesëmarrja në vlerësimin e KMCAP referohet nga mjekët bazuar në kriteret dhe vendimin vullnetar të prindit. Numri i përllogaritur mendohet të jetë më i lartë se ai që është raportuar. Fëmijët janë lënë jashtë skemës së pagesës së aftësisë së kufizuar për arsye të ndryshme. Midis fëmijëve me aftësi të kufizuara, djemtë kanë një përqindje më të lartë të aftësisë së kufizuar sesa vajzat. Nuk ka të dhëna për numrin e fëmijëve të lindur me aftësi të kufizuar, numrin e fëmijëve që e kanë përftuar aftësinë e kufizuar gjatë jetës dhe numrin e fëmijëve të ndarë sipas formave të dëmtimeve mendore dhe fizike. Përqindjet e rasteve me aftësi të kufizuara janë më të larta në zonat urbane krahasuar me zonat rurale. Në disa rrethe, si Tirana, Elbasani, Dibra dhe Durrësi, përqindjet e rasteve me aftësi të kufizuara në zonat urbane janë shumë më të larta se në zonat rurale. Ka të dhëna të paqarta dhe kontradiktore për numrin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në nivel vendi. Kufizimi në larminë e të dhënave mbetet një sfidë e rëndësishme për të analizuar shkaqet kryesore të problemeve. Modelet e përdorura për mbledhjen e të dhënave janë të paplota dhe të paqarta. Kjo pengon identifikimin dhe njohjen e situatës së FAK, dhe mund të ndikojë në planifikimin e parandalimit efikas, diagnostikimin dhe ndërhyrjen në fazat e para.

Informacione të detajuara në dokumentin e mëposhtëm:

Analiza e Situates se Sherbimeve per Femijet me AK