Projekti SPECIAL

Instituti Shqiptar për Çështjet Publike filloi zbatimin e projektit “Mbështetja e mësuesve të ardhshëm në përdorimin e TIK në edukimin e nxënësve me nevoja të veçanta arsimore”. Ky projekt është një iniciativë e Programit të Ndihmës Australiane, e implementuar nga Instituti Shqiptar për Çështjet Publike në emër të Qeverisë Australiane, dhe ka për qëllim përgatitjen e mesuesve të ardhshëm të 6 universiteteve në Shqipëri në përdorimin e TIK në mësimdhënien me nxënës me nevoja të vecanta arsimore. Nëpërmjet një seti aktivitetesh formale dhe jo-formale, mësuesit e ardhshëm do të njihen me mjetet teknologjike bashkëkohore të cilat mund te përdoren në përfshirjen e nxënësve me nevoja të veçanta arsimore në jetën e shkollës. Pra, projekti do të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me trajnimin e mësuesve në përdorimin e teknologjisë me qëllim krijimin e një ambienti të mirë dhe efikas për nxënësit të cilëve u nevojitet mbështetje e veçantë dhe do të nënvizojë përdorimin e mjeteve teknologjike për nxënësit me aftësi të kufizuara. Ne theksojmë rëndësinë e trajnimit të mësuesve të ardhshëm në përdorimin e teknologjisë si instrument pedagogjik dhe impaktin e teknologjisë në procesin e nxënies. Për pasojë, projekti do të sjellë strategji dhe instrumente të reja për tu përdorur në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies, brenda dhe jashtë auditorit.

Partnerë të kësaj nisme janë 6 universitete publike:

Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës

Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan

Universiteti “Eqerem Çabej”, Gjirokastër

Universiteti “Fan Noli” Korçë

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër

Përfituesit

Përfituesit e drejtpërdrejtë të këtij projekti do të jenë 60 mësues të ardhshëm, studentë të programeve të edukimit dhe 12 profesorë të 6 universiteve publike në Shqipëri të cilët do të trajnohen lidhur me përdorimin e TIK në mësimdhënien me nxënës me nevoja të veçanta arsimore. Ky projekt konsiderohet si iniciative PILOT, dhe për këtë arsye në terma afatgjatë të gjithë studentët e departamenteve të edukimit të përfshirë në projekt do të përfitojnë. Për më tepër, duke konsideruar që qëllimi kryesor i projektit është trajnimi i mësuesve të ardhshëm në përdorimin e TIK në SNE, përfituesit e drejtpërdrejtë afatgjatë do të jenë nxënësit me nevoja të veçanta arsimore dhe familjet e tyre.