Aftësia e kufizuar dhe vulnerabiliteti janë fenomene dinamike dhe të lidhura në mënyrë komplekse. Në vendet e zhvilluara, korpusi i madh i kërkimeve empirike tregon se personat me aftësi të kufizuara përballen, ndër të tjera, me arritje relativisht më të ulëta në nivelin arsimor, shkallë më të ulët punësimi dhe shkallë papunësie më të lartë, kushte më të këqija jetese dhe shkallë më të lartë varfërie. Në vendet në zhvillim, korpusi ende i kufizuar i kërkimeve empirike nxjerr në pah se individët me aftësi të kufizuara shpesh janë në disavantazh ekonomik për sa i përket punësimit dhe nivelit arsimor të arritur, ndërsa në nivel familjeje, faktet janë të përziera. Nxjerrja e konkluzioneve për lidhjen midis aftësisë së kufizuar dhe varfërisë në vendet në zhvillim nga kjo literaturë është problematike, nisur nga mungesa e krahasueshmërisë së vlerësimeve të aftësisë së kufizuar, treguesve ekonomikë dhe metodave në këto studime.
Ky studim ka si qëllim të kontribuojë në kërkimin empirik për kushtet sociale dhe ekonomike të personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri. Duke përdorur të dhëna që jo vetëm mbulojnë gjerësisht të gjithë vendin, por që gjithashtu përfshijnë një vlerësim të thelluar të aftësisë së kufizuar, ky studim paraqet një tablo të situatës ekonomike dhe të varfërisë së personave me aftësi të kufizuara dhe të familjeve të tyre deri në 2011/2012 në Shqipëri. Studimi përdor të dhënat nga Censusi 2011 dhe Anketa e Matjes së Nivelit të Jetesës (LSMS) 2012, ku që të dy përfshijnë vlerësime të aftësisë së kufizuar. Vlen të përmendet se të dyja grupet e të dhënave janë transversale dhe, si rezultat, ky studim vetëm mund të përshkruajë gjendjen social-ekonomike të personave me aftësi të kufizuara në një moment të caktuar. Asnjë konkluzion nuk duhet nxjerrë rreth shkakësisë ndërmjet aftësisë së kufizuar dhe varfërisë, mbështetur në statistikat përshkruese që paraqet ky studim.
Ky kërkim është i rëndësishëm për disa arsye. Së pari, ai përbën përpjekjen e parë për të dhënë në terma sasiorë dhe për të krijuar një profil të personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri. Informacione paraprake mbi kufizimet shëndetësore ishin mbledhur në versionet e mëparshme të LSMS-së në Shqipëri, por të dhënat e mbledhura nuk ishin të thelluara. Së dyti, duke ofruar një pikënisje të dhënash për gjendjen social-ekonomike të personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri dhe familjet e tyre në vitin 2011/2012, studimi mund të shërbejë me informacion për politika shtesë për aftësinë e kufizuar.
Ky raport identifikon gjashtë grupe kryesore të individëve me aftësi të kufizuara. Dy grupet e para të individëve me aftësi të kufizuara të rënda dhe të shumëfishta dhe pa arsim duhet të mbështeten me pagesa sociale për të përballuar mbështetjen mjekësore. Dy grupet e tjera të individëve me aftësi të kufizuara janë pensionistët me aftësi të kufizuara të limituara, të cilët janë shumë të moshuar për të punuar dhe kanë nevojë për mbështetje përgjatë pensionit. Në dy grupet e fundit të individëve me aftësi të kufizuara futen personat në moshë pune me arsim të mesëm dhe me aftësi të kufizuara në dëgjim ose në shikim, të cilët kanë nevojë për mbështetje që të përfshihen në tregun e punës.
Detaje në linkun e mëposhtëm: